Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale për komunën e plotë të Tuzit tregojnë për një fitore të koalicionit “Malësia na bashkon”. Koalicioni i tri partive politike shqiptare, fitoi 16 vende në Kuvendin lokal të Tuzit, i cili numëron 32 vende, ndërkaq pasojnë Partia Demokratike Socialiste e presidentit malazez, Milo Gjukanoviç me 10 vende, Partia Boshnjake me 4 vende dhe nga 1 vend Partia social Demokrate dhe Demokratët. Ky rezultat paraprak e detyron koalicionin e partive politike shqiptare që të bashkë qeverisë me ndonjë parti të spektrit politik malazez ose boshnjak. Vëzhguesit i vlerësuan zgjedhjet e së dielës në Tuz të Malësisë të qeta, pa incidente dhe demokratike. Këto zgjedhje u cilësuan si historike nga fakti se për herë të parë pas viti 1957, kur Tuzit i ishte suprimuar vetëqeverisja, rivotohet për Komunë të pavarur të Malësisë. Komuna e plotë e Tuzit ishte pika programore e të gjitha forcave politike shqiptare në Mal të Zi, të cilat gati tri dekada kërkuan vetëqeverisjen lokale për zonën e Malësisë.