Most Viewed

Categories

Sot hapet Panairi i 19-të i Librit Ulqini 2019

Komuna e Ulqinit dhe Organizata Turistike në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe i Promocionit, organizojnë në Ulqin Panairin e 19-të të Librit “Ulqini 2019”, nga data 26-31korrik. Panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga pushuesit në Ulqin gjatë këtij sezoni. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi.Do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e Rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ‘90. Gati 40 botues do të jenë prezent gjatë ditëve të Panairit ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Në Panairin e librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 3500 tituj librash. Para së gjithash letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike,letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra për profesione të ndryshme, albume, katalogë etj. për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit e shumtë. Në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë ministri i kulturës i Malit të Zi Aleksandar Bogdanoviq, homologu i tij i Maqedonisë Veriore Hysni Ismaili dhe ministri i turizmit dhe i mbrojtjes së ambientit të Shqipërisë Blendi Klosi. Në Panairin e këti viti do të organizohen mbrëmje autoriale me romansierët Fatos Kongoli dhe Balsha Brkoviq.

Forgot Password