Ka nisur zbatimi i ligjit për kufizimin e përdorimit të prodhimeve nga duhani me të cilin ndalohet konsumimi i duhanit në ambientet e mbyllura publike dhe në lokalet e punës. Siç është kumtuar, Ministria e shëndetësisë nuk ka për qëllim dënimin e qytetarëve dhe grumbullimin e të ardhurave nga dënimet, por shëndeti i secilit individ. “Qëllimi i kësaj zgjidhje ligjore, e cila ka fituar përkrahjen e plotë të Qeverisë dhe të parlamentit është ruajtja dhe mbrojtja e shëndetit të gjithë qytetarëve, si të atyre që konsumojnë, ashtu edhe të atyre të cilët nuk i konsumojnë prodhim nga duhani”, është kumtuar nga Ministria e shëndetësisë. Nga kjo ministri kanë thekuar se ndalohet pa kompromis pirja e duhanit në objekte ose pjesë të objekteve hoteliere , kafene, restorante, në lokalet ku shërbehen ushqime dhe pije. Nëse pronari i objektit dëshiron të ndajë një pjesë të hapësirës së brendshme ku klientët do të mund të konsumojnë duhanin, kjo pjesë e lokalit duhet ti plotësojë kushtet e caktuara.