*** Pas bisedës telefonike të Presidentit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq me Presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdogan, sot në Mal të Zi mbërrin kontigjenti i dytë i ndihmave medicinale, donacion ky i Presidentit turk. Fjala është për 50.000 maska, 1000 veshje mbrojtëse dhe 1000 teste. Në fakt Turqia ditë më parë i ka dërguar Malit të Zi 1000 teste dhe po ashtu ka siguruar transportin e qytetarëve dhe studentëve të cilët është dashur të kthehen në vendlindje. Siç bën të ditur kabineti i presidentit, ndihmat mbërrijnë sot me avion ushtarak e me të njëjtin ndihmat do të shpërndahen edhe në vendet e tjera të Ballkanit perëndimorë. Në pritje të mbërritjes së kontigjentit me ndihma medicinale, në aeroprortin e Podgoricës do të jetë e pranishme edhe Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi Songul Ozan.
Mali i Zi shënon 248 persona të infektuar me koronavirus
*** Në Mal të Zi deri tani janë konfirmuar 248 persona me koronavirus është kumtuar nga Instituti i shëndetit publik. Më së shumti raste të konfirmuara ka në Podgoricë 123, në Tuz 36, në Nikshiq 31, Tivar 21, në Ulqin janë regjistruar 9 raste, në Andrijevicë 7, në Bjello Pole e Herceg Novi nga 6, në Budvë 4, në Danillovgrad 3 dhe në Tivat 2 raste. Tre pacient në Qendrën Klinike të Mallit të Zi janë të vendosur në respirator, ka kumtuar drejtori i këtij institucioni Jevto Erakoviq. Ai ka shtuar se aktualisht në Qendrën Klinike gjenden 19 pacientë të cilët shërohen nga infektimi me virusin korona, duke shtuar se tashmë një pacient është shëruar dhe deri në fund të javës nga spitali do të dalin edhe 5 pacient të tjerë. Merret vesh se nën mbikqyrje sanitare shëndetësore janë 7294 persona. Këshilli Nacional për parandalimin e përhapjes së koronavirusit vazhdon me thirrjet qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë distancën sociale dhe mos të dalin nga shtëpitë vetëm për nevoja emergjente. Megjithatë drejtoria e policisë njofton se ndaj një numri të madh të personave që kanë shkelur rregullat e vëna ka ngritur aktpadi penale. Të rikujtojmë se orari i daljes vlenë nga ora 5 e mëngjesit deri në ora 19 të darkës, ndërsa në fundjavë dalja lejohet vetëm nga ora 05:00-13:00 të mesditës.
Shënohet 7 prilli Dita botërore e shëndetit
*** Në Mal të Zi u shënua 7 prilli- Dita botërore e shëndetit, e cila këtë vit iu kushtua infermierëve, dhe mamive. Situata aktuale epidemiologjike e shkaktuar nga koronavirusi vërteton se infermieret, përmes ofrimit të shërbimeve të cilësisë së lartë, kanë rol të rëndësishme në parandalimin e infektimeve dhe për shërimin e të infektuarve, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Siç kanë deklaruar nga ky institut, në Mal të Zi punojnë 3 mijë e 51 infermiere, 84% prej të cilave janë gra dhe 251 mami. Ndërsa, programi për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore i Kombeve të Bashkuara “UN Women” ka lançuar fushatën “Të mbështesim infermieret dhe mamitë.” Përmes një njoftimi të zyrës së kësaj organizate, bëhet e ditur se fushata është realizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Fondin për Popullatën të Kombeve të Bashkuara (UNFPA). “Duke pasur parasysh situatën e pandemisë COVID-19 me të cilën po ballafaqohet e tërë bota, këtë vit Dita Botërore e Shëndetit ka për qëllim lartësimin e rolit jetësor të cilin e kanë punëtoret shëndetësore në luftën ndaj pandemisë”, thuhet në njoftim.
Dushko Markoviq – mesazh inkurajues qytetarëve të Malit të Zi
*** Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq u ka dërguar qytetarëve mesazh inkurajimi në këto ditë të vështira kur e tërë bota po lufton me pandeminë e koronavirusit të ri. Ai të prekurve nga ky virus u ka dëshiruar shërim të shpejtë. Çdo person, siç ka theksuar kryeministri, është një vlerë e madhe për Malin e Zi. “Andaj të gjithë të prekurve nga virusi Covid-19, në mesin e të cilëve edhe 37 fëmijë, u drejtoj mesazh inkurajimi me dëshirë që sa më parë të shërohen”, ka shkruar Markoviq në Twiter.
*** Mali i Zi do të aplikojë për mjete nga Fondi i solidaritetit të BE
Mali i Zi do të aplikojë për mjete nga Fondi i solidaritetit i BE, me qëllim që në mënyrë sa më efikase ti përballojë pasojat e epidemisë COVID-19. Këtë e ka deklaruar bashkëbiseduesi kryesor me Bashkimin Evropian, Aleksandar Drleviq. Bashkimi Evropian ka miratuar në javën e kaluar tekstin e ndryshuar të dekretit për Fondin e solidaritetit, me ç gjë vëllimi i mjeteve të këtij Fondi, të cilat më parë ishin dedikuar vetëm për katastrofat natyrore në vendet anëtare të BE, zgjerohet edhe për situatat e jashtëzakonshme që kanë të bëjnë me shëndetësinë. Këto fonde, siç parashihet me dekretin e ri, do të mund ti shfrytëzojnë edhe vendet kandidate, në mesin e tyre edhe Mali i Zi. Që shteti të mund të kualifikohet, duhet që shpenzimet e parapara për mposhtjen e krizës të jenë më të larta se 1.5 miliardë euro, ose 0.6% të Bruto Prodhimtarisë Nacionale të vendit aplikues. Çdo shtet do të mund që njëherë të paraqitet për shumën e mjeteve dhe për këtë vendimin do ta sjellin Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE. Këto masa do të hyjnë në fuqi me 1 prill dhe mjetet nga ky Fond në këtë mënyrë do të jenë në dispozicion edhe për Malit të Zi ka deklaruar Drljeviq .
Radio Elita