Pas tre javësh izolimi total Këshilli Nacional për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Mal të Zi zbuti masat e izolimit për qytetarët e Komunës së Tuzit, të cilat ishin vendosur nga data 24 mars. Të rikujtojmë që në Tuz u zbuluan shumë raste të infektuar me koronavirus dhe Qeveria e Malit të Zi pas tyre imponoi një bllokim të plotë të komunës së Tuzit me qëllim të mos përhapjes së virusit. Masat e ndërmarra nga Trupi Koordinues Nacional kanë dhënë rezultatete e duhura pasi që në Malësi nuk ka pasur raste të shumta të prekur me koronavirus. Vendimi për lehtësimin e masave është përshëndetur nga banorët e komunës së Tuzit pasi kjo është periudha ku shumica e banorëve të malësisë janë të angazhuar në punët rreth prodhimeve bujqësore që janë jetike për këtë rajon. Prodhuesve bujqësorë u lejohet lëvizja nga ora 05:00 deri në orën 20:00 për të punuar në tokat e tyre, duke respektuar masat mbrojtëse dhe distancën fizike. Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, apelon tek qytetarët që të respektojnë maksimalisht masat lehtësuese “Kur kemi respektuar tash tre javë masat e karantinës, besoj se e kemi më lehtë që të respektojmë këto masa më lehtësuese vetëm një javë! Nëse këto i respektojmë atëherë nga java tjetër do të lirohemi pothuajse në tërësi”, ka thënë Gjeloshaj.
Vazhdon të rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi
Në Mal të Zi janë regjistruar 288 persona te infektuar me koronavirus të cilët sipas drejtorit të Institutit te Shëndetit Publik janë bartë nga rastet e njohura më parë përmes kontaktit. Drejtori i Qendrës Klinike spitalore të Malit të Zi dr. Jevto Erakoviq deklaroi se deri tani në vend janë shëruar nga koronavirusi 46 persona, ndërsa në këtë Qendër janë te shtruar 16 pacientë. Deri sot janë analizuar 180 mostra, ndërsa mbrëmë nga Instituti për Shëndetin Publik është kumtuar se prej dje pasdite janë analizuar 91 mostra, në mesin e të cilave janë zbuluar 5 raste të reja të prekura me koronavirus. Fjala është për tre pacientë nga Ulqini, një nga Podgorica dhe një nga Plava. Përndryshe që nga fillimi i epidemisë në Mal të Zi 4 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Festat fetare vetëm në rrethin e ngushtë familjar
Në Mal të Zi besimtarët katolik festuan Pashkët ndërkaq ata ortodoks sipas kalendarit Julian këtë festë do të shënojnë ditën e diele. Policia, së bashku me organet tjera kompetente, do të sigurojë respektimin konseguent të dispozitave dhe të masave për pengimin e përhapjes së koronavirusit, që ritet fetare në objektet e kultit të zhvillohen ekskluzivisht pa praninë e besimtarëve, ka kumtuar drejtori i Drejtorisë së policisë, Veselin Veloviq.“Çdo përpjekje e shkeljes së masave dhe të urdhëresave të policisë do të pengohet dhe përgjegjësit për rrezikimin e shëndetit publik do të procedohen në pajtim me ligjin dhe pa përjashtime”, ka kumtuar Veloviq. Edhe Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit shtetërorë, Ivica Stankoviq rekomandoi se janë këto kohëra të sfidave të mëdha për besimtarët dhe tërhoqi vërejtjen se do të ndiqen penalisht të gjitha ata të cilët nuk do të tregojnë disiplinë dhe ata të cilët me vetëdije i shkelin masat e TKN-së. Banorët e Tuzit, siç tha Stankoviq, kanë treguar përgjegjësi dhe festën e kanë festuar brenda familjes, ndërsa shprehu bindjen se kështu do të jetë edhe në ditët në vijim, se besimtarët do tu përmbahen masave të caktuara dhe festën do ta shënojnë në rrethin e tyre familjarë.
Mali i Zi në planin e ndihmave të vendeve anëtare të NATO-s
Që nga shperthimi i epidemisë së koronavirusit , në Mal të Zi kanë mbërritur ndihma të shumta të paisjeve medicinale nga shtete të ndryshme por edhe nga vende anëtare të NATOS. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stolltenberg ka deklaruar se Holanda dhe Turqia tani më e kanë ndihmuar Malin e Zi në luftën kundër koronavirusit, duke shtuar se në takimin e sotëm të Ministrave të mbrojtjes do të bëhet më tepër fjalë për mënyrën se si tu ndihmohet vendeve anëtare. Stolltenberg, në konferencën me gazetarët ka deklaruar se forcat e NATO-s janë të angazhuara që nga fillimi i krizës të shkaktuar nga virusi Corona përmes implementimit të masave parandaluese, ndihmëse dhe përkrahjes dhe përmes ndihmës për vendet anëtare. Siç ka theksuar, në takimin e sotem të Ministrave të mbrojtës së Aleancës do të diskutohet se si tu ndihmohet vendeve anëtare në luftën me koronavirusin, përfshirë këtu edhe Malin e Zi. Stolltenberg ka theksuar se Holanda dhe Turqia tanimë i kanë dërguar ndihmë Podgoricës, mirëpo në takimin e Ministrave të mbrojtjes do të bëhet më tepër fjalë se si mund tu ndihmohet vendeve anëtare. Ai ka theksuar se komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Tod Vollters është i ngarkuar për koordinimin e mbështetjes së domosdoshme ushtarake në raste të ballafaqimit me krizat. Stolltenberg ka theksuar se këtu do të përfitojë edhe Mali i Zi, duke shtuar se Holanda ka vendosur që të ndihmojë në transportimin e pajisjeve medicinale nga Kina në Mal të Zi dhe se Turqia deri me tani ka dhuruar sasi të pajisjeve medicinale.
Mali i Zi hynë në mekanizmin e BE për furnizimin e përbashkët me ilaçe
Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi Millutin Simoviq, në emër të Qeverisë së Malit të Zi ka nënshkruar marrëveshjen për furnizimin e përbashkët me ilaçe, pajisje medicinale dhe mallra të tjera. Me zbatimin e kësaj marrëveshje Mali i Zi, së bashku me shtetet anëtare të BE, Islandën dhe Lihtenshtajnin, si dhe me Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinën, Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë pjesë e mekanizmit të cilin e ka vendosur BE me qëllim të sigurimit më të shpejtë, më efikas dhe më racional të blerjes së medikamenteve, pajisjeve medicinale dhe mallrave ose shërbimeve tjera, qëllimi i të cilave është lufta kundër kërcënimeve serioze tejkufitare për shëndetin. “BE ka inicuar mekanizmin e blerjes së përbashkët i cili do të forcojë mundësinë blerëse të palëve të kontraktuara dhe do të sigurojnë qasje të drejtë në pajisjet medicinale për kërcënimet serioze ndërkufitare për shëndetin”, ka theksuar Simoviq. BE ka ndarë ndihmë intervenuese në pajisjet medicinale në vlerë 3 milion euro dhe 50 milion euro ndihmë afatgjate për zbutjen e pasojave të pandemisë, të cilat do tu dedikohen sektorëve të prekur më së tepërmi nga kjo krizë.