Ne moshën 79 vjeçare u nda nga jeta, Aleksandar Aco Janinoviq, personalitet që ndërtoi një pjesë të historisë së gazetarisë moderne në Malin e Zi.Janinoviq ishte bartës i disa çmimeve për gazetari, i cili dhe sot e kësaj dite, mbetet i njohur për opinionin për shkrimet e shumta në gazetën ‘Pobjeda’ dhe mbahet mënd për rubrikën e të shtunes ku sillte personazhe, ngjarje dhe rrëfenja për Ulqinin, rrethinën, njerëzit e thjeshtë të tij por dhe personalitete të fushave të ndryshme që kanë bërë emër në Mal të Zi dhe më gjerë. Aco Janinoviq ishte sublimim i moshës së njerëzve me të cilët rrinte. Për mua ka mbetur shembull i mësimdhënësit, ndërsa në vitin 1987 kur filloi nga puna Radio Ulqini, Aco Janinoviqi na ndihmonte dhe na vlerësonte ne atëherë gazetarë pa përvojë, por kurrë nuk na impononte shkrimet. Andaj, si i tillë mund të cilësohet si model dhe shkollë e punës profesionale. Këtë gjë,qytetarët e Ulqinit ia kanë vlerësuar shumë. Ata e donin dhe e nderonin përherë. Ai iku nga kjo botë qetësisht, ashtu siç edhe jetoi.