Most Viewed

Categories

Intervistë me Ambasadoren e Turqisë në Mal të Zi, znj. Songul Ozan

Mali i Zi dhe Turqia dy shtete mike vazhdojnë të zhvillojnë marrëdhënie të mira bashkëpunimi në çdo fushë

•Në një intervistë ekskluzive për TRT-në në shqip, Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan vlerëson lartë marrëdhëniet midis dy vendeve. Ajo shprehet e kënaqur që shteti i Turqisë ka ndihmuar Malin e Zi në kapërcimin me sukses të epidemisë së koronavirusit dhe shton se Mali i Zi si shtet mik dhe aleati i NATOS do të gjejë gjithmonë përkrahje nga Turiqa. Për investitorët nga Turqia, Mali i Zi është destinacion shumë i popullarizuar dhe sigurt dhe investimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Fillimisht znj. Ozan përgjigjet në pyetjen se si e vlerëson faktin që Mali i Zi e ka kapërcyer epideminë e koronavirusit me sukses.

V. Katana- Znj. Ozan , këtë intervistë i zhvillojmë në momentin kur Mali i Zi ka shpallur fundin e epidemisë së koronavirusit. Sipas jush si arriti Mali Zi i Zi të përballet me sukses me epideminë ku kontribut në ndihma ka dhënë edhe Turqia, e ku edhe Ju keni qenë e kyçur drejtpërsëdrejti?

S. Ozan- Mali i Zi ishte vendi i fundit ku u përhap koronavirusi e gjithashtu vendi i parë i cili arriti ta çrrënjos virusin. Për këtë dua të përgëzoj qeverinë dhe popullin e këtushëm. Sipas meje Mali i Zi ka ndërmarrë masa shumë serioze të cilat i ka aplikuar e gjithashtu populli i ka respektuar këto masa, andaj ia doli ta kapërcej këtë krizë me shumë sukses. Mali i Zi ka marrë ndihma nga shtete të ndryshme mike e po ashtu edhe Turqia ka dhuruar ndihma mjekësore sepse ne jemi aleatë dhe vende mike. Dy presidentët, ai i Malit të Zi dhe i Turqisë kanë zhvilluar bisedë telefonike, pas së cilës presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka dërguar avion ushtarak me ndihma mjekësore. Me Malin e Zi na lidh historia e përbashkët, kemi lidhje njerëzore andaj këtij vendi i uroj që në paqe dhe shëndet të tejkaloj të gjitha situatat dhe sfidat jetësore.

V. Katana-Jemi dëshmitarë se Turqia ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Janë realizuar tashmë një serë vizitash të niveleve të larta zyrtare ku janë nënshkruar një serë marrëveshjesh . Si e vlerësoni këtë?

S.Ozan- Mali i Zi dhe Turqia janë dy vende mike dhe aleatë, andaj kemi shkëmbyer vizita të niveleve të larta, kemi pasur rritje të bashkëpunimit ekonomik, tregtarë, andaj mund të them se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Turqia ka dhënë të gjithë kontributin e mundshëm për arritjen e pavarësisë. Mali i Zi është shtet shumë- etnik, ku jetojnë pjesëtar të përkatësive të ndryshme etnike dhe fetare, vend i tolerancës dhe bashkëjetesës dhe si anëtarë i NATO-s, është shembull për tërë Ballkanin si promotor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Shteti i Turqisë po ashtu i jep përkrahje pa rezervë Malit të Zi në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE) që ka një rëndësi themelore për paqe, stabilitet dhe mirëqenie. Më këtë vend ne ndajmë historinë dhe kulturën e përbashkët. Kemi farefis në Ulqin, në Rozhaje, në Bijelo Pole e Podgoricë. Po ashtu qytetarët e Malit të Zi kanë familje të afërta në Turqi. Këtij vendi i dëshirojmë fat dhe mirëqene dhe së bashku si pjesë e Evropës të gjithë të jemi në të njëjtën çati të institucioneve euro- atlantike.

V. Katana- Interesimi i kompanive turke që të investojnë në Mal të Zi është gjithnjë e më i madh. A do të thotë kjo që investitorët nga Turqia e shohin Malin e Zi si treg të sigurt?
S. Ozan- Deri tani më së shumti investime kemi në ekonomi dhe tregti. Mali i Zi është destinacion i popullarizuar për investitorët turq. Gjatë disa viteve të fundit ata kanë investuar këtu rreth 185 milion euro. Kjo është edhe tendencë rritje. Kemi të regjistruara disa mijëra kompani nga të cilat aktive janë 400 sosh të vola dhe të mëdha të cilat janë të përfshira në fusha të ndryshme të ekonomisë. Krahas tyre kemi edhe kompanitë e mëdha turke si Tosh Çelik, Gintash, Port of Adria me investime të mëdha infrastrukturore. Edhe sa i përket konsesioneve për aeroportet e Malit të Zi edhe këtu ekziston interesim i madh i kompanive turke. Po ashtu kemi bashkëpunim edhe në ndërtimtari. Në tankerët e mëdha ndërtimore kemi rreth 2 mijë punëtorë dhe teknikë nga Turqia. Për këtë arsye investitorët nga Turqia janë të interesuar të investojnë në Mal të Zi dhe e shohin këtë vend si vend të sigurt.

V. Katana. Edhe shkëmbimi tregtarë është në rritje. Sipas të dhënave të drejtorisë së tatimeve numri i kompanive turke që hapin biznese këtu është gjithnjë e në rritje. Si e vlerësoni këtë?
S. Ozan- Shkëmbimi tregtarë është në rritje. Turqia është një ekonomi e madhe kështu që eksporti i Turqisë në raport me eksportin e Malit të Zi është shumë më i madh, por edhe në këtë drejtim kemi nënshkruar marrëveshjen për shkëmbimin e zgjeruar të tregtisë së lirë, ku mundohemi të mbajmë një baraz peshë në këtë drejtim. Tani për shkak të epidemisë së koronavirusit kemi një ngecje, por shpresoj se menjëherë pas kësaj krize do të vazhdojmë avancimin e bashkëpunimit. Deri tani kemi pasur rritje 40-50%. E përsërisë edhe një herë, investitorët turq janë tejet të interesuar të investojnë në Mal të Zi, sepse besojnë në të ardhmen e këtij vendi. Krahas kësaj kemi dhe ngjashmëri të shumta në kulturë, traditë, mikpritje dhe ky fakt na bën që të kemi afrimitet akoma më shumë me njëri tjetrin.

V.Katana – Cilat janë prioritetet e Ambasadës së Turqisë kur janë në pyetje investimet për hapjen e vendeve të reja të punës?

S. Ozan- Në i japim përkrahje sektorit real, sektorit prodhues. Kompanitë që ne i përkrahim duhet të kenë njerëz të arsimuar dhe të hapin vende të reja të punës. Krahas fabrikave, zonave industriale, prodhimit të tekstilit dhe fushave të tjera, mendoj se edhe turizmi është një fushë shumë me rëndësi. Edhe këtu mund të kemi bashkëpunim ku mund të hapen mundësi të reja për rininë siç është psh. Ulqini. Kemi pasur një serë takimesh me struktura udhëheqëse të Ulqinit me kryetarin e komunës Loro Nrekiq dhe kryetarin e kuvendit Ilir Çapuni, ku kemi shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit në fushën e turizmit. Ulqini mund të bëhet qytet ideal për turizëm , njëlloj siç është Antalia apo Mugla. Në këtë drejtim duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe të konkretizojmë punët sepse jam në dijeni se ka afaristë që kanë dëshirë të investojnë në turizëm.

V. Katana – E dimë që Turqia është destinacion i madh i turizmit botërorë. Sipas jush ku Mali i Zi duhet të investoj më shumë ne turizëm?

S.Ozan- Në këtë drejtim duhet të kemi para sysh ruajtjen e mjedisit jetësorë. Natyrën, malet, hapësirat e gjelbra, lumenjtë dhe detin. Këtu mund të ndërtohen komplekse moderne turistike. Gjatë 20-25 viteve të fundit në Turqi janë ndërtuar komplekse të jashtëzakonshme turistike me një shërbim kualitativ dhe çmime të volitshme. Derisa ndërtohen komplekset turistike, duhet të zhvillojmë edhe fusha të tjera ekonomike si psh, bujqësinë. Në Anatalia kultivohen të gjitha prodhimet e nevojshme për të furnizuar komplekset turistike me artikuj të nevojshëm si në bujqësi ashtu edhe në tekstil. Mendoj se edhe Mali i Zi duhet të zhvilloj një turizëm të tillë. Ku ekonomitë e ndryshme përkrahin njëra tjetrën ku edhe qyteti dhe fshati mund të kenë dobi nga turizmi. Them se turizmi është një fabrikë pa oxhaqe shumë e vlefshme dhe e dobishme për ekonominë e një vendi.

V. Katana – Në çdo hap në Mal të Zi mund të vërehen shenjat e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA. Pas epidemisë së koronavirusi a do të kemi ndihma dhe investime nga TIKA dhe aktivitete të Institutit Yunus Emre?

S. Ozan- TIKA është institucion joni shumë i rëndësishëm. Në Mal të Zi ka realizuar qindra projekte me vlerë miliona eurosh. Në Ulqin kemi ndërtuar fabrikën për përpunimin e vajit të ullirit. Kemi dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e trashëgimisë tonë të përbashkët kulturore. Ska dyshim se me aktivitete do të vazhdojmë edhe me tej si nga TIKA ashtu edhe nga Instituti Yunus Emre i cili edhe gjatë koronavirusit ka pasur aktivitete për mësimin online të gjuhës. Kemi po ashtu edhe aktivitetet e Ziraat bankës një tjetër institucion turk me shumë vlerë për të gjithë.

V. Katana- Falë ambasadës së Turqisë një numër i madh studentësh nga Mali i Zi fitojnë bursa për tu shkolluar në Universitetet më prestigjoze të Turqisë. A do të vazhdohet ende me këtë projekt?

S. Ozan – Natyrisht me këtë projekt do të vazhdojmë ende. Kemi pasur ngecje për shkak të situatës, por besoj së shpejti në bashkëpunim me drejtorinë tonë të diasporës do të kemi prapë student të ri që dëshirojnë të shkollohen në Turqi. Ne u mundësojmë atyre që të studiojnë atje dhe prapë të kthehen dhe të punësohen në Mal të Zi. Kemi dhe shoqatën e studentëve MASAT që përfaqëson të gjithë studentët që kanë kryer shkollimet në Turqi.

V. Katana- sa i përket Ulqinit , a planifikohet ndonjë investim i afërt nga ana e Turqisë?

S- Ozan- Kemi pasur projekte konkrete me strukturat udhëheqëse të komunës së Ulqinit si psh. projekti i Akua Parkut i cili është dashur të finalizohet për këtë sezon verorë por për shkak të epidemisë nuk kemi ende informacion se deri ku është arritur. Së shpejti do të kemi rast të zhvillojmë takime dhe të shohim se ku është arritur sa i përket investimeve në Ulqin.

Intervistoi – Vera Aliegu Katana

Forgot Password