Në emisionin e sotëm “Zëra dhe Gjurmë” do të flasim për ruajtjen e folklorit dhe promovimin e vlerave të trashëguara që ndihmojnë në edukimin e brezave. I ftuari ynë është koreografi Musa Hoxha . Ai thotë se qëllimi i shkollës së tij është zhvillimi dhe përhapja e thesarit folklorik të Ulqinit. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale , koreografike dhe kostumografike duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori ynë, thotë koreografi Musa Hoxha , shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zona jonë etnografike ka veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet.
Porta Di Danca ka mbledhur valltarë të talentuar që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën tonë brenda dhe jashtë vendit . Në jetën artistike, shkolla Porta Di Danca ka pasur shumë premiera me repertor të zgjedhur. Këtë mision tani e tutje do ta marrë një ansambël që do të ngrihet në kuadër të Qendrës për kulturë.
Jeta do të ishte një emër tjetër thotë koreografi Musa Hoxha, nëse nuk do të njihte gëzim e dhimbje . Për njeriun ajo ka nisur me lindje, vazhdon martesa, sërish lindje e pastaj vdekja. Nëpërmjet folklorit këto ngjarje të mëdha vijnë në mënyrë origjinale me këngë djepi, këngë dasme, vaje , që përbëjnë rituale jete . Por mbi të gjitha dallohen vallet tona që janë pasuri kombëtare.
Ndiqni emisionin e plotë sot me 16 korrik në ora 18:05 ne FM 93.9 si dhe në internet në linkun
http://radioelita.moj-radio.stream