Në emisionin “Zëra dhe gjurmë” ju sjellim intervistën me Sami Misherrin, intelektualin e njohur i cili është vlerë për Ulqinin. Ai është autor i disa librave e ajo që është karakteristike për librat e tij përveç të tjerash është gjuha e pasur dhe larmia dialektore e shprehjeve, frazave që ai përdor dhe që lirisht mund të themi se krijon imazhin e një fjalori voluminoz, që mbart kuptime të shumta.
Misherri sjell shpesh herë tema të bukura ulqinake nga e kaluara. E shkuara thonë mendimtarët është kujtesë, pa të njeriu është në kaos. Në librat e Sami Misherrit ajo lidhet me një vend, ritual, etnografi, rapsodi, mënyrë të menduari e të besuari, të gjitha vijnë bashkë për të hequr mallin a pluhurin e kujtimeve, për t’i tejkaluar a për të mësuar prej tyre, për të qenë gjithmonë vetvetja.Ndiqni emisionin sot, e enjte 20.08.2020 në ora 18:05. Ritransmetim, e premte 21.08.2020 në ora 12:05.