Dëgjues të nderuar, Radio Elita për gjashte muaj rresht ka transmetuar emisionet e ciklit,,Zëra dhe Gjurmë “Ishte ky një projekt prej 24 emisionesh i mbështetur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave, emision ky që tuboi ne studion tonë personalitete të shquara, me grada dhe tituj shkencorë, arkitekte, studiues, piktorë e koreograf, por dhe detarë apo ata që njihen si ujqërit e detit, ata qe janë te apasionuar për profesione të ndryshme e që kanë bërë emër jo vetëm në Ulqin e Mal të Zi, por që fama e tyre ka jehuar gjerë. E tërë kjo ndodhi gjatë kohës kur i tërë njerëzimi dhe ne si pjesë e tij jemi duke u ballafaquar me pandeminë e koronavirusit. Shpesh jemi tronditur për lajmet që kemi dëgjuar dhe ata që vinin nga tereni e që vazhdojnë te vijnë dhe na prekin pa mase.
***Për çdo javë ne folëm për Ulqinin, për traditat dhe zakonet e tij në shekuj për trashëgiminë kulturore, për aktivitet kulturore, për detarinë, peshkimin, arkitekturën, artin e gatimit, por dhe për pikat e interesit dhe ato turistike. Nga kjo edhe njëherë konkluduam se kemi të bëjmë me një qytet te vogël, me mikpritje të madhe, me histori te lashte, me njerëz bujar, me një bregdet të mrekullueshëm e natyre që rrallë gjendet ndokund. Andaj si i tille Ulqini mbetet një nxitje për te ardhur këtu.
***Gjatë realizimit të projektit ne jemi përpjekur që mos të vëmë në pah vetëm vlerat e natyrës, bukuritë dhe atë që e bën të njohur Ulqinin por kemi synuar që nëpërmes bashkëbiseduesve të sjellim sadopak misterin dhe magjinë e historisë së Ulqinit ndër shekuj.
E tërë kjo ka zgjuar interesim dhe në faqen tonë të internetit dhe emisionet janë ndjekur dhe për këtë kemi marrë urime dhe përgëzime, e kjo padyshim që na jep shtytje që emisione të këtij lloji të realizojmë edhe në të ardhmen.
*** Dëgjuesit, veçmas brezi i ri interesim ka treguar për detarinë ulqinake nder shekuj e i ftuari ynë lidhur me këtë temë tha se Ulqini historikisht është dalluar si qytet detarësh të zot. Nga ky mjedis kanë dalë detarë të shquar e trima, që bënë me famë detarinë shqiptare. Kapedanët dhe detarët ulqinak ishin të zotë, mjeshtrinë e detit dhe të betejave detare e mësuan vetë duke u bazuar edhe në përvojën e paraardhësve të tyre. Sot e kësaj dite ulqinakët janë të lidhur ngushtë me detin, për lundrimin si një nga fushat e veprimtarisë njerëzore, që gjatë zhvillimit historik ka ecur drejtë përmirësimit e përsosjes. Një grup entuziastësh nga Ulqini po punojnë në identifikimin dhe ndërtimin e maketit të anijes ilire ulqinake.
*** Në Ulqin nuk janë te rrallë personat që shpesh herë sjellin në shkrimet e tyre tema të bukura ulqinake nga e kaluara. E shkuara thonë mendimtarët është kujtesë, pa të njeriu është në kaos. Në librat e autoreve ulqinak ajo lidhet me një vend, ritual, etnografi, rapsodi,e të gjitha vijnë bashkë për të hequr mallin a pluhurin e kujtimeve, për t’i tejkaluar a për të mësuar prej tyre.
Për ne, shprehen artistet e ftuar në ciklin “Zëra dhe gjurmë” vendlindja është gjëja më e shtrenjtë! Vendi ku u lindem e u rritem, ku morëm mësimet e fëmijërisë. Aty u formuam dhe hodhëm hapat e parë dhe nisem rrugën e jetës. Ulqini është vend i bekuar është lavdia e të parëve, është dritë për pasardhësit të cilit ne do ti kujtojmë me dëshirë përherë që të na jepet rasti u shprehen ata.
*** Ulqini është vend ideal dhe për zhvillimin e sporteve të ndryshme. Njohës të sportit dhe sportistë me emër thonë se sporti përveç dobive në shëndet, ndihmon edhe në jetën sociale dhe në zgjerimin e shoqërisë, prandaj preferohet sidomos për të rinjtë, sepse ndikon pozitivisht në zhvillimin e aftësive komunikuese. Sporti mëson gjithashtu edhe rëndësinë e marrjes së përgjegjësive, rolin e bashkëpunimit (punën në grup), pranimin e fajit, përkrahjen, dhe kujdesin për ti realizuar qëllimet e përcaktuara. Sporti mëson një respekt të dyfishtë, së pari në respektimin e rregullave, dhe së dyti në respektimin e kundërshtarit, sepse edhe vet sjelljet e kundërta dënohen. Të rinjtë sipas te ftuarve tanë, priren të marrin shembull nga idhujt e tyre, prandaj edhe shikimi i sportit deri në një masë mund të ndikoj në rritjen e dëshirës për pjesëmarrje në të.
Ne në në emisionin “Zëra dhe gjurmë” kemi sjellë intervista edhe me koleksionistë dhe fotografë të apasionuar dhe publicist. Pasioni i madh për fotografinë i ka shtyrë ata që të hulumtojë për historinë e lashtë të Ulqinit, jo vetëm përmes objektivit të fotoaparatit, por edhe përmes mbledhjes dhe koleksionimit të fotografive të vjetra.
Në epokën e globalizimit, kur kufijtë janë gjithnjë e më tepër fluidë, kur lëvizja dhe teknologjia i ka bërë njerëzit qytetarë të gjithë botës, të vetmit elementë që do të mbajnë gjallë kombet janë ata identitarë: gjuha, kultura, traditat, zakonet…thotë njeri nga te ftuarit tanë. Ai duke përshëndetur nismën tonë thotë se një nga sfidat e organeve kompetente në komunën e Ulqinit është regjistrimi dhe ruajtja e trashëgimisë tonë jo materiale. Sipas tij, Ulqini me vlerat e tij të trashëgimisë kulturore është dhe mbetet një vend shumë tërheqës dhe i hapur për të gjithë. Është shumë e rëndësishme veçon ai, që t’i ruajmë këta elementë që na identifikojnë, që na bëjnë të ndihemi krenar dhe për më tepër t’i trashëgojmë ato brez pas brezi.
***E kështu do te vazhdonim te flisnin dhe te analizojmë secilin emision .
***Ne i shprehim falënderim te sinqerte te gjithë te ftuarve qe iu përgjigjen ftesës tonë. Intervistat me ta janë një pasuri ne fondin e Radio Elitës. Po ashtu falënderim i shprehim dhe Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave për përkrahjen materiale që ofroi për realizimin e këtij projekti.
*** Në fund një falënderim ju shprehim edhe juve dëgjues të nderuar qe na keni mbetur besnik tash e 18 vite. Duke iu falënderuar dhe duke dëshiruar që këtë krizë të shkaktuar nga pandemia e Covid- 19 ta kalojmë sa me pare, nga valët tona një ftese i bëjmë dhe mysafireve .
Mirë se vini në Ulqinin tonë, në rrugëkalimin midis lindjes dhe perëndimit . Në këtë vend ku qytetërimi e humanizmi evropian dhe zhvillimi shekullorë ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe trashëgimi te pasur kulturore.