Most Viewed

Categories

Fjalimi i Kryetarit të Komunës në Kuvend për viktimat e pandemisë së koronavirusit në Ulqin

Të nderuar qytetarë!
Të nderuara këshilltare e këshilltarë!
Të nderuar familjarë që keni humbur më të dashurit e juaj nga koronavirusi!
Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Të dashur vëllezër dhe motra në diasporë!
Sot në fillim të kësaj seance ne po i japim nderim këshilltarit Dritan Alaj i cili u nda para pak kohësh nga jeta si pasojë e koronavirusit. Familja humbi njeriun më të dashur, bashkëshortin dhe prindin.
Ne humbëm shokun, kolegun e respektuar, këshilltarin e moderuar i cili gjithnjë kishte prirje për bashkëpunim. Duke i dhënë nderim Dritanit i japim nderim dhe të gjithë atyre të tjerëve që i mori jetën ky virus i pabesë. Janë më shumë se 35 qytetarë të Ulqinit që kanë ardhur me arkivole nga koronavirusi dhe çështë më e keqja nuk kemi qenë në gjendje ti japim nderimin e merituar përshkak të masave që kanë qenë në fuqi.
Të gjithë ata kanë qenë qytetarë të nderuar dhe të vlerësuar të Ulqinit. Kanë qenë kryefamiljarë, bashkëshortë, prindër, vëllezër dhe farefis i dikujt.
Ulqini është qytet i vogël, ne njihemi me njëri tjetrin, kemi lidhje familjare, shoqërore dhe na bjen shumë rëndë kur marrim vesht lajme të hidhura.
Ngado që hedhim sytë këtyre muajve në çdo vend shohim shpallje mortale. Kemi drojë të hapim telefonat dhe të lexojmë se kush është ndarë nga jeta, kush është në gjendje të rëndë në repartin e reanimacionit, kush është i intubuar apo nën aparatet e oksigjenit. Me një fjalë facebooku na është shëndruar në një varrezë. Kjo është shumë e rëndë për secilin nga ne.
Të nderuar të pranishëm, e kam shumë të vështirë tju drejtohem në raste të këtij lloji. Duke folur më dalin para syve portretet e Dritanave, të Lemit, të dr. Faqos , të Suadës, të Rades e të shumë qytetarëve të tjerë që vdiqën si pasojë e koronavirusit.
Më dalin para syve fytyrat e prindërve, nënave, nuseve të reja, fëmijëve që kanë mbetur jetim. Kjo është tragjike! Duhet forcë për ti tejkaluar të gjitha këto.
E veçoj Ulqini është i vogël ,por kurrë nuk është i vogël për nga mirësia, përkujdesi, ngrohtësia dhe dashuria që bartin njerëzit e tij.
Unë e di që sejcilës familje me asgjë nuk mund ti kompenzohen humbjet e më të dashurve të tyre por ,së paku në rastet kur kemi të bëjmë me kryefamiljarët Komuna e Ulqinit unë si kryetarë i saj dhe bashkëpunëtorët e mij do të bëjmë çmos që ti gjindemi pranë për tja lehtësuar sado pak dhimbjen, se dihet që jeta vazhdon dhe në kushtet e pandemisë dhe pas saj.
Të nderuar të pranishëm kjo pandemi që se mban mend bota ka shkatërruar ekonomi të shumta e këtu nuk bën përjashtim as Mali i Zi.
Ne në Ulqin këtë vit që po e mbyllim nuk patëm sezonë turistike, nuk patëm të ardhura nga burime të tjera por të gjitha këto tejkalohen. Jetët e humbura të qytetarëve tanë të intelektualëve, njerëzve të thjeshtë bujarë e punëtorë, njerëzve me vlera të Ulqinit nuk mund të zëvendësohen me asgjë.
Une dua me këtë rast ti drejtoj një falenderim të sinqertë diasporës sonë për çdo ndihmë që na kanë dhënë. Ato në këto momente të vështira kanë qenë me mend e zemër me të afërmit e tyre dhe me vendlindjen.
Një falenderim nga ky vend i dërgoj bluzave të bardha dhe personelit mjekësorë dhe atij ndihmës në Ulqin, Tivar, Podgoricë, Nikshiq etj.
Vëllezër dhe motra po afrohen festat e fundvitit.
Ju që keni humbur më të dashurit tuaj do ta keni shumë të rëndë sepse festat na bashkojnë na tubojnë dhe na bëjnë bashkë. Mendoj se ndaj mendimin edhe me ju që një vit si ky i 2020-ës mos të na përsëritet më.
Motra dhe vëllezër unë ju lus për mirëbesim dhe mirëkuptim sepse mirëbesimi dhe mirëkuptimi janë simbioza të suksesit në këtë përballje të madhe të këtij shekulli.
Vetëm bashkarisht mund tja dalim mbanë kundër këtij virusi të pamëshirshëm.
Faleminderit!

Forgot Password