Kryetari i Kuvendit të Ulqinit Ardijan Mavriq , nënkryetarët Beqir Sellaj, Sabri Salaj dhe Sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi, zhvillim rural dhe ekologji Zeqarie Sulejmani u takuan me Ministren shtetërore për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale Gjermane Ana Lirman , Ambasadorin Peter Felten dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Në takim temë qëndrore ishte Kriporja e Ulqinit, por dhe investimet infrastrukturore që janë duke u zhvilluar me mbeshtetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim – KFW dhe çështje që kanë të bëjnë me fushën e arsimit.
Mavriq theksoi se Komuna e Ulqinit i ka kryer të gjitha obligimet e saja, përsa i përket Kripores dhe se tani është në pritje të përgjigjes së Qeverisë, respektivisht Ministrisë përkatëse përsa i përket themelimit të SHPK Kriporja Ulqinit. Po ashtu ai vlerësoi hap pozitiv atë, që në buxhetin e Malit të Zi për këtë vit janë paraparë mjete për Kriporen.
Ministrja Ana Lirman insistoi që autoritetet komunale ta njoftojnë me rrjedhën e bisedimeve përsa i përket vendimit që pritet nga Qeveria. Në vazhdim të takimit Mavriq informoi mysafirët me investimet që janë duke u zhvilluar e ku ka gjasa reale që Banka Gjermane për Zhvillim të dakordoje mjete të tjera shtesë.
Kryetari i Kuvendit veçoi si hap shumë pozitiv atë që prej vitesh ngjet në shkollën e mesme të qytetit tonë ku nxënësit tanë falë profesorëve nga Gjermania arrijnë rezultate te lakmueshme në gjuhën gjermane e kjo i ka dhënë mundësi atyre të vizitojnë Gjermaninë, të shkëmbejnë përvojat me moshatarët e tyre, por dhe të studijojnë në Universitetet e atjeshme.
Ambasadori Peter Felter u pajtua me konstatimin e autoriteteve vendore dhe theksoi se edhe metej do të angazhohen për forcimin e këtyre marëdhënieve dhe të shihet mundësia që në qytetin tonë të hapet departamenti i Gjuhës gjermane që do të ishte në shërbim të turizmit dhe fushave te tjera.
Zyrtarët komunal duke i shprehur falenderime mysafirëve theksuan se Gjermania është një parter kyç politik dhe ekonomik i Malit të Zi dhe shprehën shpresën për forcimin e mëtejmë të miqësisë dhe partneritetit mes dy vendeve.
Po ashtu sipas tyre vizita e diplomates së lartë gjermane, dëshmon përkushtimin e autoriteteve gjermane ndaj aspiratave të Malit te Zi, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.