Veshjet popullore janë një prej elementeve më të rëndësishme të kulturës sonë, duke qenë se jo vetëm janë dëshmi e ndryshimeve shoqërore përgjatë historisë, por dëshmojnë një lidhje të periudhave të ndryshme të kulturës shqiptare dhe shërbejnë gjithashtu si trashëgimi shumë e rëndësishme për brezat e ardhshëm. Ato janë padyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës e traditave. Janë trashëguese të shumë elementeve, që vijnë nga lashtësia dhe gjithashtu janë dhe shprehje e marrëdhënijeve kulturore midis popujve.
Në qytetin e Ulqinit, veçmas gjatë kremteve të ndryshme të bie në sy një mozaik impresiv I veshjeve të ndryshme kombëtare të banorëve të kësaj treve.
Në mesin e tyre, xhubleta e malësoreve të Shtoit ka zgjuar dhe vazhdonë të zgjojë kurreshtjen e studiuesve të shumtë. Sipas tyre Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë.
Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.,,Studiuesja e sistemit të simbolikës në veshjet kombëtare shqiptare Luljeta Dano, pohon se misteri i veshjes së zezë, shkëlqen nga të gjitha pikëpamjet, si nga pamja monumentale, nga ndërtimi, teknika e endjes, ornamenteve të qëndisjeve, derdhjes së stolive, etj. duke mos qënë thjesht, një veshje grash, por një institucion i lashtë edukimi nga matriarkat. Misteri i kësaj veshjeje të zezë është më i madh se dija jonë për simbolikën që përmban, por sot për sot mund te themi se kanë një përgjigje pyetjet për të.Gjithnje sipas saj Në këtë veshje bie në sy forma e xhubletës, krejt e veçantë nga çdo veshje tjeter, mënyra e zbukurimit të pjesëve të saj me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të përzgjedhura, si ngjyra e zezë, çiklaminë, vjollcë ose blu. Kjo veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve shqiptare, një pjesë e tyre sot ndodhet në territorin administrativ të Malit të Zi. Xhubleta përfaqëson tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë, ende e gjallë në kullën malësore shqiptare. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare që vjen e gjallë deri në ditët tona,, pohon studiuesja,,
Tashme xhubleta shqiptare e vjetër mbi 4000 vjeçare, është pasuri e gjithë njerëzimit. UNESKO e ka marrë në mbrojtje këtë thesar të shqiptarëve.
Ështe detyre dhe obligim i yni që fuqishëm të prezantojmë dhe promovojmë keto vlera dhe thesare të popullit tonë.