Ymer Agë Ulqini ishte djalë në lule të moshës. Të sotmen u martua të nesërmen i erdhi kartë nga mbreti: “Ti Ymer agë Ulqini të nisesh e të shkosh në luftë se po na sulmon armiku … “.
Kjo kartë ishte e zezë, e hidhur se ndante trimin nga vasha. Po Ymer Aga ishte ushtar nuk e bënte fjalën dysh. U ngrit, shaloi balashin, ngjeshi armët, shkoi u la shëndenë miqve, shokëve, nënës e atit, pastaj vajti e ia tha vashës: Moj vasha ime, mua më dërgon mbreti fjalë të shkoj në luftë e duhet të nisem.
– Merrmë dhe mua me ty Ymer Agë -, i thotë vasha.
– Jo vashë nuk të marr dot, se atje i thonë luftë e lufta është për burrat. Unë dua të më japësh besën se nuk do të martohesh e do më presësh derisa të kthehem.
Më thuaj sa do të më presësh ti mua moj vasha ime ?
– Do të të pres nëntë ditë
– Nëntë ditë janë pak moj vashë, udha ime është e gjatë dhe lufta është e gjatë, se kjo luftë bëhet në dhe të largët. Në më do siç të dua të më presësh nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë të nëntë vjetët e të nëntë ditët e unë të mos kthehem ti vashë martohu e trashëgohu se kështu qënka thënë, atëherë unë s’do të jem gjallë.
Vasha psherëtiu…
– Mirë Ymer Agë do të të pres nëtë vjet e nëntë ditë.
Kështu e lidhën fjalën ata të dy. Ai të shkojë në luftë, ajo të presë nëntë vjet e nëntë ditë. Ymer Aga i la shëndenë vashës, i hipi balashit e shkoi me zemër të ngrohtë në luftë. Kali ikte e linte prapa një re pluhuri që ngrihej në udhë. Kalorësi nxitonte të arrinte sa më shpejt në luftë. Trim ishte Ymer Agë Ulqini por armiku ishte i madh e i shumtë. Që në përpjekjen e parë të tij iu turrën mizëri kalorësish të veshur me hekur. E qarkuan dhe e qëlluan me shpatë, Ymer Aga luftoi si burrë, shtriu përdhe shumë burra, plagosi shumë të tjerë po në luftë e sipër i vranë balashin. Sa ia vranë balashin Ymer Aga luftoi në këmbë gjersa iu thye shpata.
E zunë rob e hodhën në burg brenda në kështjellë. Qarkuan nga të katër anët me gurë mure të lartë dhe e mbajtën derë për nder se kishte qënë trim dhe trimi nderohet kudo. Aty në dhe të huaj në burg shkojnë ditët e bëhen javë, shkojnë javët e bëhen muaj, shkojnë muajt e bëhen vjetë. Një dy, tre, më shumë…
Mirëpo Ymer Agë Ulqini e ka zemrën të ngrohtë sepse vasha i ka dhënë fjalën ta presë në shtëpi nëntë vjet e nëntë ditë. Ai ha bukë, pi verë, qesh, ju jep zemër shokëve i bie ciftelisë. Dëgjon bija e mbretit të huaj e çuditet.Ç’është ky njeri – thotë – që s’tutet se është burg brenda në burgun e kështjellës.
– Eshtë Ymer Agë Ulqini – i thonë.
– Të fortë e paska zemrën.
– Të fortë e të ngrohtë se është shqiptar, me fjalën e tij e me këngën e tij i forcon e i ngroh edhe të tjerët, shokët. Po në të vërtetë Ymer Aga e ka zemrën të ngrohtë e syrin zjarr. Pret që mbreti i tij të dërgojë shpërblesë, ose shkëmbesë që ta lirojë.
“Domosdo” – thotë Ymer Aga – “mbreti do të dërgojë të më lirojë se unë kam luftuar kaq vjet për të. Ia kam dëgjuar gjithnjë fjalën, ku më ka dërguar kam vajtur, ku ka dashur kam luftuar…”
Po Ymer Aga nuk di se mbretërit i harrojnë njerëzit që u kanë bërë shërbime. Edhe mbreti i tij e ka harruar fare. Atij si bëhet vonë se ka e s’ka Ymer Aga në këtë botë. Se Ymer Agën e pret vasha në shtëpi, se Ymer Aga kalbet në burg. Mbreti bën kokrrën e qejfit në sarajet mëdha buzë detit, ha e pi e ndërron gratë, dërgon të tjerë në luftë që të vriten e të bien rob.
Hajde, hajde na shkojnë të nëntë vjetët. Afrohet dita e zezë. Pas nëntë ditësh do të martohet vasha e Ymer Agës, siç e kishin lidhur fjalën bashkë. Atëherë Ymer Agës i ftohet zemra, i shuhet syri, nuk ha më bukë, nuk pi më verë, nuk i bie çiftelisë. Çuditen gjithë shokët e pyesin çka e pse rri i mekur. Ai nuk përgjigjet , qëndron në heshtje kokëvarur i pikëlluar. E bija e mbretit që s’ia dëgjon më këngën pyet njerëzit:
– Ç’ka Ymer Aga që s’po i ndihet zëri ?
Ymer Aga i thonë – ka ditë që s’po ha e s’po pi, s’po vë gjumë në sy e s’po i bie çiftelisë.
– Ma thërrisni këtu Ymer Agën!
I vete Ymer Aga së bijës së mbretit.
– Ç’ke ti Ymer agë ? – e pyet e bija e mbretit . Pse s’ha bukë e pse s’pi verë, pse si bie çiftelisë.
Ymer Aga pëshon e ia kthen:
– Nuk ha dot e nuk pi dot, moj bijë e mbretit, as ciftelisë nuk i bie dot. Kam parë një ëndërr të keqe.
– C’ëndër ke parë Ymer Agë?
– Kam parë shtëpinë të nxirë e të shembur, babanë të vdekur e të harruar, nënën gjallë por të verbuar. Edhe kam parë se vasha ime po martohet. Unë veç një natë kam ndenjur martuar me vashën time, të nesërmen më erdhi kartë të nisem për luftë. U nisa, luftova e rashë rob. Ne kemi bërë me besa -besë që vasha të më presë nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë nëntë vjetët e nëntë ditët ajo të martohet e trashëgohet. Të nëntë vjetët shkuan, tani po shkojnë dhe të nëntë vitet. Të falem moj bijë e mbretit, a nuk i thua babait të më lëshojë për ca ditë, të shkoj në shtëpi sa të flas me vashën e pastaj të khehem prapë në burg.
– I them Ymer Agë por im atë, mbreti, kërkon nëntë qese aspra që të lëshojë.
– E ku ti gjej unë këto nëntë qese moj bijë e mbretit.
Unë kam nëntë vjet që jam rob i zënë …
– Ç’më lë ti peng mua o Ymer Agë që të të lë të shkosh ?
– Të le besën time o bijë e mbretit .
E bija e mbretit e di se Ymer Aga është shqiptar dhe se shqiptari vdes dhe nuk e shkel besën. I thotë:
– Ngrihu Ymer Agë, shalo kalë dorinë e për tri ditë arri në Ulqin.
Shokët e Ymer Agës fillojnë e qajnë:
– Mjerë ne Ymer Agë po shkon e na le vetëm!
Ymer Aga kthehet e u thotë:
– Ç’keni o shokë që po qani? Në qofsha gjallë do kthehem prapë. Këtu një orë e më parë do presim bashkë si ta kemi të thënë. Të mirëmbetshi.
– Udhë e mbarë Ymer Agë, dalsh faqebardhë!
Shalon ai shpejt kalë dorinë, i hip e merr vrapin drejt për në Ulqin. Kali ikën si shigjetë , lë pas një vrazhdë pluhuri që ngrihet lart. Mbetën prapa male e fusha, dalin përpara male të tjera, fusha të tjera.
Vrapo dori që të arrijmë të bukurën përpara se të martohet. Ik e ik e ditë e natë me shkumë të kuqe në gojë … Doriu është i këputur, Ymer Aga është i drobitur. Veshët i buçasin por të dy shkojnë e shkojnë … Për tri ditë e tri net shkojnë në vend. E ja tek zbardh Ulqini i bukur shqiptar, buzë detit tonë …
– Ah, Ulqin, Ulqin tërë jetën të kam pasur në zemër. Nëntë vjet të kam parë natë përnatë në ëndërr. Nëntë vjet kam dashur që të puth dheun. Valët thyhen njëra pas tjetrës në breg. Era fryn e fortë. Përsipër fluturojnë pulëbardhat… Ja tek nxin shtëpia e Ymer Agës. Ai shikon si nëpër gjumë. Jam a s’jam këtu, i është tharë gjuha për një pikë ujë. Qëndron në një krua që të lahet e të pijë, aty gjen të ëmën plakë. Ai e njeh ajo se njeh.
– Mirë se të gjej o e mira nënë!
– Mirë se vjen o rob i zënë!
– Ku më di ti se jam rob i zënë?!
– Nga flokët e gjata që të varen supeve. Nga na vjen ti o rob i zënë?
– Vij nga ajo e zeza Spanjë!
– A mos e ke parë Ymer Agën tim? A mos ke dëgjuar ndonjë fjalë për të? E kam parë sot e tri javë moj e mira nënë. Ymer Aga u vra, vetë e lava, vetë e qava e të shtatëzën ia ndava. Plaka nis vajin e vajton, Ymer Aga e bën zemrën gur e nuk i rrëfen të vërtetën. i thotë:
– Ç’jana ata njerëz që nxijnë tej moj e mira nënë? Ç’janë këta topa që po bien kodrave?
– Janë krushqit e atij qenit Veli Pashës që kanë marrë nusen e po shpien në shtëpi. Topat që bien janë topat e dasmës.
– Ç’nuse kanë marrë moj e mira nënë?
– Nusen e tim biri, të Ymer Agës …
Ymer Aga i bie kalit e u del krushqve përpara.
– Mirë se ju gjej o krushq dasmorë
– Mirë se vjen, o rob i zënë. Nga na vjen ti , o rob i zënë?
– Nga ajo e zeza Spanjë…
– A mos e ke parë Ymer Agën apo mos ke dëgjuar ndonjë fjalë për të?
– Kam tri javë që e kam parë. Ymer Aga u vra. Vetë e lava e vetë e qava e të shtazan ia ndava.
Krushqit gëzohen, qeshin; nusja qan nën duvak …
Ymer Aga hidhet e thotë:
O krush o dasmorë! Ymer Aga më ka lënë një amanet: t’i them nja dy fjalë kësaj vashe.
– Thuj tri e sa të dush, o rob i zënë…
Ymer Aga i afrohet koçisë dhe pyet nusen:
– A e njeh Ymer Agën, moj vashë?
– Si ta njoh e mjera unë e mjera një natë të fjetur, nëntë vjet pa pjekur… Ajo e zeza nënë me pat thënë se ka një shenjë në llërën e djathtë, që ia ka kafshuar kali Ymer Aga përvesh llërën e djathtë e i tregon shenjën. Nusja e njeh, gëzohet. I zbret koçisë, hedh mbi krye duvakun e nusërisë e u thotë krushqeve:
– Udhë e mbarë, o krush bujarë, se unë po marr burrin e parë! Ky është Ymer Aga im. Burrë e kisha e burrë e kam për jetë e mot!
Ymer Aga e hedh në vithe të doriut edhe shkon drejt në shtëpi. Kthehet pastaj edhe sjell nënën.
Të nesërmen i hip prapë doriut edhe merr udhën e Spanjës.
“Ti, dori, të më zbardhesh faqen, se i kam dhënë fjalën bijës së mbretit! “Ulqini i bukur shqiptar mbetet persëri prapa. Kali vrapon ditë e natë…
Po ç’na ndodh andej, në atë të zëzë Spanjë? Mbreti se dëgjon e se sheh Ymer Agën. Pyet e i thonë se Ymer Agën e ka lëshuar e bija që të kthehet në vendin e vet. Ai thërret sakaq të bijën e i shfyen:
– Ç’u bë Ymer Aga robi ?
– E lëshova unë o im atë, që të takohet me vashën e tij se do t’ia merrte dikush tjetër. Më dha besën: për tri ditë vjen prapë. Sot mbarojnë të tri ditët e do të kthehet. mbreti zemërohet.
– Jo të gënjeu nuk do të kthehet!
Jep urdhër t’i presin kokën së bijës në krye të shkallëve.
Prit o im atë, gjersa të ngryset, se Ymer Aga do të kthehet medeomos. Ai se shkel besën
– Jo, kush shkon nuk vjen prapë. Është si zogu i kuvlisë: posa ia hape, iku…
Do të kthehet se me ka dhënë besën.
– Besa është një fjalë, dhe fjalën e merr era. Atë e shkelin dhe mbretërit.
– Mbretërit e shkelin, Ymer Agë shqiptari nuk e shkel, o im atë…
Në atë çast dukej tej një kalorës që vjen vrapë, duke lënë mbrapa një fashë pluhuri. Sa të mbyllesh e të hapësh sytë, kalorësi hyn në portë të kështjellës. I zbret kalit të shkumëzuar dhe i falet së bijës së mbretit:
– Rrofsh e qofsh, moj bij’ e mbretit! e mbajta besën. Unë vajta e u ktheva. Rob isha, rob jam prapë.
Mbreti e shikon i çuditur nga kryet e shkallëve e thotë
– Ymer Ago shqiptar , ti paske qënë me të vertetë burrë i besës! Të lumtë!, pastaj kthehet e u jep urdhër rojeve:
Ymer Agën ta lironi të shkojë ku të dojë. Burrë qënka e burrë qoftë! Lëshoni dhe të nëntë shokët që ka.