Most Viewed

Categories

Tryeze rrumbullaket per persona me aftesi ndryshe

Shoqata Joqeveritare “Elita Plus” organizoi në Ulqin tryezën e rrumbullakët me temën “Pozita dhe avancimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”, në kuadër të projektit “Të dukshëm, të barabartë, të përfshirë”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Komunës së Ulqinit, institucioneve të mbrojtjes sociale, organizatave të shoqërisë civile dhe profesionistë të fushës. Përfaqësuesja e Ministrisë, Irena Rakoçeviq, drejtoreshë në Drejtorinë për Mbrojtjen dhe Barazinë e Personave me Invaliditet, prezantoi aktivitetet e Ministrisë, zbatimin e dokumenteve strategjike dhe legjislacionit përkatës, si dhe angazhimin institucional për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në përputhje me standardet evropiane.
Aldina Nikoçeviq, përfaqësuese e Komunës së Ulqinit, informoi mbi aktet normative të miratuara nga komuna, përkrahjen e vazhdueshme institucionale, bashkëpunimin me Qendrën për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Sirena”, si dhe aktivitetet për ndërtimin e një objekti të ri për këtë qendër.
Drejtoresha e Qendrës “Sirena”, Salije Meqikukiq, prezantoi shërbimet që u ofrohen përfituesve, sfidat aktuale, nevojën për zgjerimin e kapaciteteve hapësinore dhe kadrovike, si dhe bashkëpunimin me institucionet përkatëse.
Marina Kastrati, udhëheqëse e Qendrës për Punë Sociale, theksoi rolin e qendrës në sistemin e mbrojtjes sociale, rritjen e numrit të përfituesve dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për përkrahjen e personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.
Në kuadër të diskutimit u prezantua edhe një rast konkret nga Zana Hasanaga, nënë e një fëmije me aftësi të kufizuara, e cila vuri në dukje sfidat me të cilat përballen familjet, veçanërisht nevojën për shërbime të specializuara profesionale.
Aktivistja e sektorit civil Hatixhe Gjoni nga pervoja e saj shumvjecare foli per perkrahjen qe duhet te jap komuna per permiresimin e pozites se kesaj kategorie ne shoqeri.
Në aktivitet moren pjese dhe asistentë në procesin mësimor nga institucionet arsimore të komunës së Ulqinit Tamara Çilingir dhe Linda Dema.
Tryeza e rrumbullakët është aktivitet vijues i projektit “Të dukshëm, të barabartë, të përfshirë”, të cilin e realizon Shoqata Joqeveritare “Elita Plus”, me mbështetje financiare nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, në kuadër të financimit të projekteve të organizatave joqeveritare nga fusha e mbrojtjes së personave me invaliditet.

Forgot Password