Aktiviteti përmbyllës i projektit “Multikultura – pasuri e Malit të Zi”, i realizuar nga shoqata joqeveritare Elita Plus, shënoi një moment të rëndësishëm reflektimi dhe përmbylljeje të një pune gjashtëmujore të përkushtuar ndaj promovimit të bashkëjetesës, tolerancës dhe mirëkuptimit ndërkulturor. Ky projekt, i mbështetur nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë për rëndësinë e multikulturës si një ndër vlerat më të çmuara të Malit të Zi. Aktiviteti përmbyllës u realizua me nxënësit e shkollës së mesme Vëllazërim Bashkim, të cilët gjatë gjithë periudhës së projektit ishin pjesëmarrës aktivë në aktivitete edukative, diskutime dhe punëtori të ndryshme. Në këtë kuadër, u organizua një takim i veçantë me redaktorin në Entin e Botimeve në Mal të Zi dhe përkthyesin e njohur Dimitrov Popoviq, i cili ishte i ftuari kryesor i këtij eventi.
Gjatë fjalës së tij, Popoviq u ndal në rëndësinë e multikulturës dhe diversitetit kulturor që e karakterizon Malin e Zi si një shoqëri të hapur dhe të pasur me tradita të ndryshme. Ai theksoi se bashkëjetesa e kulturave nuk është vetëm një realitet, por një vlerë që duhet ruajtur dhe kultivuar vazhdimisht. Duke folur për qytetin e Ulqinit, ai e cilësoi atë si një shembull të shkëlqyer të multikulturës, ku ndërthuren në harmoni kultura, gjuhë dhe tradita të ndryshme.
Një vëmendje e veçantë gjatë prezantimit iu kushtua rolit të letërsisë në afrimin e popujve dhe ndërtimin e urave të komunikimit ndërkulturor. Popoviq foli për botimet e Entit, ku përfshihen autorë të njohur të letërsisë shqiptare dhe malazeze, duke theksuar se përkthimi është një mjet i fuqishëm për njohjen reciproke dhe pasurimin kulturor. Ai ndau gjithashtu përvojën e tij nga pjesëmarrja në panairet e librit, duke nënvizuar rëndësinë që këto aktivitete kanë në promovimin e kulturës dhe dialogut ndërkulturor.
Pas prezantimit, u zhvillua një diskutim interaktiv me nxënësit, të cilët shprehën interes të madh për profesionin e përkthyesit. Ata parashtruan pyetje mbi sfidat e përkthimit, procesin e punës, përzgjedhjen e veprave dhe autorët e preferuar, duke e bërë këtë pjesë të aktivitetit veçanërisht dinamike dhe frymëzuese. Në përfundim të takimit, Dimitrov Popoviq dhuroi për nxënësit dhe bibliotekën e shkollës disa nga veprat e tij të përkthyera në gjuhën shqipe dhe atë malazeze, duke kontribuar kështu në pasurimin e fondit libror dhe nxitjen e leximit tek të rinjtë.
Ky aktivitet shënoi përmbylljen e suksesshme të projektit gjashtëmujor “Multikultura – pasuri e Malit të Zi”, i cili përmes aktiviteteve të tij ndikoi në edukimin e të rinjve për respektimin e diversitetit dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.



