Shoqata joqeveritare Qendra Rajonale për Art, Kulturë dhe Media „Elita Plus” organizoi sot një tryezë të rrumbullakët në kuadër të projektit „Dyert e hapura – Zhvillimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse për të gjithë”, me qëllim përmirësimin e pozitës së personave me invaliditet. Projekti u mbështet nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave. Në tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve republikane dhe lokale, të sektorit civil, ekspertë, si dhe persona me invaliditet. Pas diskutimeve dhe analizave të zhvilluara, pjesëmarrësit dolën me një sërë rekomandimesh për përmirësimin e pozitës së personave me aftësi të kufizuara në Ulqin, duke vënë theksin te:
Arsimi gjithëpërfshirës, përmes mbështetjes profesionale për mësimdhënësit, përdorimit të teknologjive ndihmëse, krijimit të një dhome senzoriale në Shkollën Fillore „Maršal Tito” dhe forcimit të sistemit të ndërhyrjes së hershme për fëmijët.
Mbështetja dhe fuqizimi i familjeve, përmes këshillimit të prindërve, rritjes së ndërgjegjësimit dhe luftimit të paragjykimeve ndaj fëmijëve me vështirësi në zhvillim.
Punësimi dhe pavarësia ekonomike, përmes rritjes së mundësive për punësim, aftësimit profesional, trajnimeve dhe rikualifikimit, si dhe zhvillimit të ekonomisë dhe sipërmarrjes sociale.
Zhvillimi i shërbimeve mbështetëse në komunitet, në përputhje me nevojat reale të personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.
Qasja e barabartë në informacion dhe vendimmarrje, përmes përshtatjes së informacionit, përfshirjes më të madhe të personave me aftësi të kufizuara në proceset vendimmarrëse dhe fuqizimit të organizatave që përfaqësojnë interesat e tyre.
Planifikimi realist dhe mbështetja institucionale, duke siguruar mjete financiare dhe kushte të qëndrueshme për zbatimin e aktiviteteve dhe shërbimeve të nevojshme.
Rekomandimet e dala nga kjo tryezë synojnë të shërbejnë si bazë për veprime konkrete dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit, me qëllim krijimin e një mjedisi më të qasshëm, të barabartë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.



