Most Viewed

Categories

Adnan Kollari: Kuzhina popullore në Ulqin mbyllet përkohësisht për mungesë fondesh, rihapja planifikohet në Ramazan

Adnan Kollari, një ndër themeluesit e kuzhinës popullore për familjet në nevojë në Ulqin, ka bërë të ditur se kjo kuzhinë është detyruar të mbyllë përkohësisht dyert për shkak të mungesës së fondeve dhe mbështetjes financiare.

Kuzhina popullore ka funksionuar për një periudhë të gjatë kohore, duke u ardhur në ndihmë dhjetëra familjeve në nevojë, të moshuarve, personave pa të ardhura të qëndrueshme si dhe familjeve me gjendje të rëndë sociale. Përmes saj janë shpërndarë rregullisht shujta të ngrohta dhe pako ushqimore bazë, duke qenë një mbështetje e rëndësishme për shumë qytetarë të Ulqinit.

Sipas Kollarit, mbyllja nuk është dëshirë, por një domosdoshmëri për shkak të pamundësisë për të siguruar ushqime, materiale dhe shpenzime operative. Megjithatë, ai ka dhënë një lajm shpresëdhënës, duke theksuar se në fillim të muajit të madhërishëm të Ramazanit është planifikuar rihapja e kuzhinës popullore.

“Ramazani është muaj solidariteti, bamirësie dhe ndihme për njëri-tjetrin. Shpresojmë që me mbështetjen e qytetarëve, bizneseve lokale dhe donatorëve, kuzhina të rifillojë punën dhe të vazhdojë misionin e saj human,” ka deklaruar Kollari.

Gjatë Ramazanit, kuzhina popullore planifikon të shpërndajë 50-60 iftare për familjet në nevojë, si dhe pako ushqimore me produkte bazë, duke synuar që asnjë familje të mos mbetet pa një shujtë të denjë në këtë muaj të shenjtë.

Kuzhina popullore në Ulqin ka funksionuar kryesisht falë vullnetarëve, donacioneve të qytetarëve dhe ndihmës së herëpashershme nga bizneset lokale dhe diasporës. Organizatorët apelojnë që kushdo që ka mundësi të kontribuojë, qoftë me mjete financiare, ushqime apo punë vullnetare, të bëhet pjesë e kësaj nisme humanitare.

“Çdo ndihmë, sado e vogël, ka vlerë të madhe për ata që kanë nevojë,” përfundon Kollari, duke ftuar popullin e Ulqinit të tregojë solidaritet dhe zemërgjerësi.

Forgot Password