Qendra Rajonale për Art, Kulturë dhe Media Elita Plus vazhdoi aktivitetet në kuadër të projekteve që synojnë përfshirjen dhe fuqizimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Në prag të festave të fundvitit, në kuadër të projektit “Të dukshëm, të barabartë, të përfshirë”, u organizua një vizitë e veçantë për fëmijët, edukatorët dhe prindërit e Qendrës Ditore për fëmijë dhe të rinj me pengesa në zhvillim “Sirena” nga Ulqini. Udhëtimi u zhvillua në drejtim të Tuzit, ku pjesëmarrësit u pritën me shumë ngrohtësi nga koordinatorja e Shoqatës “Fëmijët e Malit të Zi”, znj. Sabra Decevic, së bashku me bashkëpunëtorët e saj. Atmosfera festive, mikpritja dhe aktivitetet e përbashkëta krijuan një ndjesi gëzimi, afrimiteti dhe bashkimi, duke e bërë këtë vizitë edhe më domethënëse. Me këtë rast, falënderojmë Drejtoreshën e Qendrës “Sirena”, znj. Salije Meqikukiq, dhe gjithë stafin e saj për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe përkushtimin e treguar ndër vite. Po ashtu, shprehim mirënjohje të veçantë për znj. Sabra Decevic, e cila edhe kësaj radhe dëshmoi profesionalizëm, energji pozitive dhe një qasje të ndjeshme ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara. Kjo vizitë festive na rikujtoi edhe një herë se këta fëmijë janë burim dashurie, sinqeriteti dhe gëzimi. Forca e natyrës së tyre të pastër dhe mënyra se si ata krijojnë lidhje të menjëhershme me njerëzit përreth janë dëshmi se përfshirja dhe pranimi janë thelbësore për zhvillimin e tyre emocional dhe social. U pa qartë se prindërit, mësuesit dhe edukatorët nuk i shohin kufizimet, por potencialin e secilit fëmijë – një botë e pasur që meriton mbështetje, mirëkuptim dhe zhvillim të vazhdueshëm. Me dashuri, durim dhe punë të përkushtuar, ata përpiqen çdo ditë të krijojnë mundësi që këta fëmijë të ndihen të barabartë dhe të përfshirë në shoqëri. Aktivitete të tilla dëshmojnë se aty ku punohet me seriozitet dhe zemër, rezultatet janë të dukshme. Kjo vizitë ndihmoi në forcimin e lidhjeve ekzistuese, krijimin e miqësive të reja, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e aftësive sociale dhe emocionale të fëmijëve. Fëmijëve u urojmë shëndet, gëzim dhe një të ardhme sa më të ndritshme, ndërsa prindërve – veçanërisht nënave që japin dashuri pa kufi – forcë, durim dhe shpresë të vazhdueshme.
Projekti “Të dukshëm, të barabartë, të përfshirë” I cili mbeshtetet nga Ministria per te drejtat e njeriut dhe te pakicave, synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore dhe kulturore.



