Most Viewed

Categories

Ulqini – qytet evropian në zemër të Evropës

Ulqini është një qytet i lashtë, me rrënjë të thella historike dhe kulturore, i vendosur në zemër të Evropës. Në qendër të tij ngrihet kalaja 2500-vjeçare, unike jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë, si dëshmi e një trashëgimie të pasur dhe të çmuar arkeologjike.

Kjo trashëgimi e bën të natyrshme që çdo qytetar të ndiejë krenari për qytetin e tij. Ulqini mirëpret turistë dhe vizitorë nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre bukuri natyrore të jashtëzakonshme, histori të gjallë dhe mundësinë për të prekur nga afër lashtësinë.

Prej vitesh, në Ulqin zhvillohen aktivitete të shumta me karakter evropian, si projekti “Mali i Zi në ritmin e Evropës”, “Nata e Kështjellave”, “Java Evropiane e Sportit” dhe shumë ngjarje të tjera, të cilat zgjojnë interes të madh te të gjitha grupmoshat, veçanërisht te të rinjtë.

Sipas tyre, ka ardhur koha që Ulqini të kurorëzohet zyrtarisht me titullin Qytet Evropian i Sportit, një titull që ky qytet e meriton plotësisht. Kjo do të ishte një vlerësim i denjë për një qytet të lashtë, shumёdimensional, të gjallë dhe mikpritës.

Përmes aktiviteteve të këtij lloji do t’i jepej një shtytje edhe më e madhe zhvillimit të sportit, promovimit të turizmit dhe organizimit të ngjarjeve që forcojnë imazhin e Ulqinit në nivel ndërkombëtar. Të rinjtë e qytetit tonë, të cilët në gara të ndryshme sportive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar po arrijnë rezultate gjithnjë e më të mira, ndihen krenarë për Ulqinin, ndërsa përzgjedhja e tij si Qytet Evropian i Sportit do të ishte një nder dhe një arritje e rëndësishme për të gjithë banorët dhe vizitorët e shumtë.

Ulqini ka historinë, energjinë dhe vizionin për ta merituar këtë titull dhe për ta përfaqësuar denjësisht Evropën përmes sportit dhe kulturës.

 

Forgot Password