Ka një qetësi të veçantë që lind kur grepëzat prekin fijet, kur gjilpëra rrëshqet lehtë mbi pëlhurë dhe kur ari e argjendi marrin jetë në duart e një gruaje. Është si një muzikë që nuk dëgjohet, por ndihet – një ritëm i vjetër që vjen nga thellësia e kohës.
Në Ulqin, punimi i tantellave nuk është vetëm një zanat. Është kujtim, është traditë, është art që kalon nga një brez te tjetri. Ato fijet e holla, të punuara me shumë kujdes, mbajnë brenda histori dashurie, pritjeje, gëzimi e sakrifice. Këtu njihen si “ojma” – një emër i ëmbël, që i shkon shumë kësaj mjeshtërie.
Si gazetare, kam pasur fatin ta prek nga afër këtë botë të bukur. Më kujtohet intervista me zonjën Xhemale Cungu, vite më parë. Duart e saj punonin me një qetësi të admirueshme, ndërsa fijet shndërroheshin në art. Emisioni quhej “Nën qergjef lale tuj qëndisë” – një titull që dukej sikur vinte vetë nga zemra e Ulqinit dhe nga këngët e tij.
Ajo nuk fliste shumë, por puna e saj tregonte gjithçka. Çdo model, çdo vijë, çdo kthesë ishte një histori më vete. Ajo kujtonte:
“Që e vogël mbaj mend veten pranë nënës sime, duke e parë me admirim teksa punonte ojma. Ajo kishte duar të arta dhe shumë durim. Fillimisht vetëm shikoja, pastaj provova edhe unë. Gabohesha shpesh, e prishja punën, por ajo gjithmonë më mësonte me qetësi. Më tregonte se çdo punë kërkon kohë dhe dashuri. Me kohën, ky zanat u bë pjesë e jetës sime. Nuk ishte vetëm punë dore, por më jepte qetësi. Çdo fije që lidha më dukej sikur po krijoja diçka të bukur. Më vonë mësova modele të ndryshme – disa nga nëna ime, disa të reja që i ndanim me shoqet. Mblidheshim shpesh, bisedonim, qeshnim dhe mësonim nga njëra-tjetra. Sot, kur marr grepin në dorë, ndjej sikur mbaj një pjesë të historisë sime dhe të nënës sime. Ky zanat më ka dhënë jo vetëm aftësi, por edhe qetësi dhe lidhje me traditën.” shprehej ajo.
Përpjekja për ta futur këtë art nën mbrojtjen e UNESCO-s është shumë e rëndësishme. Është një vlerësim i merituar për këtë punë të bukur, që duket e brishtë, por në fakt është shumë e fortë – si kujtesa e një populli.
Në fund, mesazhi është i thjeshtë: nëse duam të ruajmë atë që jemi, duhet të ruajmë atë që krijojmë me zemër. Sepse në çdo ojmë të punuar me dashuri, jeton një pjesë e identitetit tonë – dhe ajo duhet të vazhdojë të jetojë.
Vera Katana



