Në kuadër të projektit “Romët dhe Egjiptianët midis traditës dhe integrimeve”, i cili realizohet nga OJQ Elita Plus, më 11 shkurt u zhvillua një takim me përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian, si dhe me përfaqësues të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe të Sekretariatit për Kulturë dhe Administratë Lokale të Komunës së Ulqinit.
Qëllimi i takimit ishte që, përmes dialogut të drejtpërdrejtë, të parashtroheshin problemet dhe sfidat me të cilat përballet ky komunitet. Theks i veçantë iu kushtua çështjeve që lidhen me shkollimin e fëmijëve, punësimin, strehimin, përkrahjen sociale dhe aspekte të tjera që ndikojnë në përmirësimin e pozitës së tyre.
Sokol Beganaj, drejtor në Drejtorinë e Ministrisë për Komunitetin Rom dhe Egjiptian, theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me ministrinë për adresimin e problemeve që shqetësojnë pjesëtarët e këtij komuniteti. Ai apeloi për përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve në sistemin arsimor, duke nënvizuar se për punësim në institucione të rëndësishme nevojiten kuadro të shkolluara në profile të ndryshme.
Beganaj theksoi se me përkrahjen e Qeverisë, institucioneve ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian mund të bëhet edhe më shumë për komunitetin rom dhe egjiptian. Veçanërisht ai foli për mundësitë që u ofrohen të rinjve romë dhe egjiptianë përmes shoqatës ndërkombëtare REDI, për të realizuar idetë dhe dëshirat e tyre dhe për t’u angazhuar në profesione të ndryshme.
Sipas tij, shoqata është e gatshme të ofrojë ndihmë në hartimin e projekteve dhe ideve të biznesit, si dhe përkrahje financiare për fillimin e veprimtarive. Po ashtu, ekspertë të shoqatës do të angazhohen në aftësimin profesional të të rinjve dhe të rejave rome dhe egjiptiane në fusha të ndryshme.
Gjatë takimit, pjesëmarrësve iu bë thirrje të jenë më aktivë dhe të aplikojnë përmes shoqatave të tyre në konkurset e ministrive dhe në ato të Komunës së Ulqinit.
Të pranishmit parashtruan edhe pyetje të tjera që kishin të bënin me përmirësimin e pozitës së tyre. U dakordua që komunikimi me ministrinë përkatëse të jetë i vazhdueshëm, ndërsa së shpejti pritet të realizohet edhe një takim me përfaqësuesit e shoqatës ndërkombëtare REDI, për të shqyrtuar mundësitë konkrete të punësimit dhe zhvillimit të aktiviteteve për të rinjtë dhe të rejat rome dhe egjiptiane.



