Ulqini do të jetë edhe këtë vit pjesë e manifestimit kulturor ndërkombëtar “Nata e Kështjellave”, i cili shënon edicioni e pestë dhe do të mbahet më 8 dhe 9 maj.
Aktiviteti organizohet nga Zyra e Projekteve IPA e Komunës së Ulqinit, ndërsa këtë vit pritet të ketë një dimension të ri, pasi organizatorët synojnë që në projekt të përfshihet edhe Shqipëria, me fokus në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe bashkëpunimin rajonal.
Pjesë e këtij manifestimi pritet të jenë edhe organizatat joqeveritare nga Ulqini, të cilat në programet e tyre zhvillojnë aktivitete kulturore dhe janë ftuar t’i bashkohen këtij projekti.
Lidhur me rëndësinë dhe përmbajtjen e aktivitetit, në një intervistë për Radio Elitën ka folur Artan Lika nga Zyra e Projekteve IPA e Komunës së Ulqinit, duke theksuar se “Nata e Kështjellave” është një nismë që lidh qytete dhe vende të ndryshme përmes historisë dhe kulturës. Sipas tij ky manifestim konsiderohet ndër aktivitetet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, pasi vetëm gjatë vitit 2025 janë organizuar mbi 195 ngjarje në 10 vende të Evropës , duke e bërë atë një projekt me shtrirje të gjerë ndërkombëtare.



